Investime në çdo lagje, Veliaj: Kemi hapur 100 kantiere pune në Tiranë
Bashkia e Tiranës vijon punën për përmirësimin e infrastrukturës në çdo lagje të kryeqytetit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka parë nga afër një rrugë tjetër të përfunduar.
Sipas Veliajt aktualisht, Bashkia e Tiranës ka rreth 100 kantiere të hapura, ku po punohet për përmirësimin jo vetëm të infrastrukturës rrugore, por edhe për institucionet arsimore dhe sociale të qytetit.
“Sot në Tiranë kemi rreth 100 kantiere të hapura. Angazhimi ynë është që derisa njerëzit të kthehen nga pushimet, të përfundojmë shumicën e këtyre kantiereve, sidomos ato që kanë të bëjnë me akset kryesore të rrugëve, unazat e disa rrugë të tjera apo institucionet arsimore, shkollat, kopshtet e çerdhet. Ndaj, do të na shikoni në terren gjatë gjithë muajit gusht. Qeveria vjen me legalizimet, ndërkohë bashkia vjen me infrastrukturë ku sot nuk diskutohet rruga, asfalti e trotuari, por fibra optike, interneti, IPTV. Kjo është mënyra më e mirë se si dikush ‘pashaportizohet’ në Tiranë, vetëm kur ka akses në shërbime si pjesa tjetër e qytetit”, shtoi Veliaj.
Ndërhyrja në segmentin midis kryqëzimit ish Kombinati “Josif Pashko” te ish “Uzina Dinamo” ka konsistuar në realizimin e rrjetit të ri të ujësjellës-kanalizimeve, vendosjen e sistemit të ndriçimit, trotuare, gjelbërim dhe vendosjen e plotë të sinjalistikës horizontale dhe vertikale.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.