Investime në kanalizime – Veliaj apel qytetarëve: Paguani faturat e ujit

Rreth 1 mijë banorë në rrugën “Xhavit Shyqyri Demneri”, në Njësinë Administrative Nr. 2 në Tiranë, së shpejti nuk do të kenë më probleme kanalizimet.
Bashkia e Tiranës ka nisur rikonstruksionin e kolektorit dhe rrjetit të kanalizimeve, i cili prej kohësh ishte amortizuar si pasojë e mbushjes dhe bllokimit me materiale inerte.
Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të jenë korrekt me pagesat e ujit, me qëllim që të përfitojnë sa më shumë investime.
“Bashkia dhe Ujësjellësi po bëjnë përpjekje maksimale, por kjo kërkon edhe pak bashkëpunim nga qytetarët. Vetëm kur Bashkia është në krye të punëve dhe qytetarët janë të përgjegjshëm, mund të kemi një qytet model, siç ka filluar të sillet Tirana sot. Tirana ka sot çmimin më të ulët të ujit nga të gjitha qytetet e bashkitë e mëdha, por unë besoj se po merr shërbimin më të lartë e cilësor. Ftoj të gjithë qytetarët të jenë korrektë me faturat e ujit. Siç duket, ne kemi investuar pothuajse në çdo lagje. Në një vit kemi pasur 103 investime në Ujësjellës, sa ç’nuk ishin bërë në 25 vitet e fundit”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë vlerësoi edhe përkrahjen nga qytetarët të nismës për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike. Sipas tij, ka pasur një ulje të përdorimit të qeseve me 60%.
“Qytetarët e kanë dhënë një kontribut të qenësishëm, duke reduktuar përdorimin e qeseve plastike. Pas vendosjes së një pagese simbolike për qeset, na rezulton se në ditët e para ato janë reduktuar me 55-60%. Shumë shpejt edhe Këshilli Bashkiak do të marrë vendime të cilat do të ndalojnë totalisht përdorimin, sidomos të qeseve ultra të holla, që nuk degradohen dhe që janë problematika kryesore në çështje të kanalizimeve”, u shpreh kryebashkiaku.
Investimi që po kryhet në këtë segment do të jetë sipas standardeve më të mira, ku është parashikuar të përballohen sasitë e reshjeve që mund të bien për 10 vitet e ardhshme.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.