Investime në shërbimin parësor, Manastirliu: Përfitojnë shërbim më cilësor rreth 480 mijë qytetarë në Korçë

Shërbimi parësor është vënë në qendër të vëmendjes sa i përket investimeve si dhe garantimit të shërbimeve të interguara për çdo qendër shëndetësore.
Sipas Ministres së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu “Kantieri i shëndetësisë do të zgjerohet me 100 qendra shëndetësore dhe pika ambulancash, të cilat do të rehabilitohen në vitin 2019”.
Gjatë inspektimit të punimeve në qendrën shëndetësore nr. 2 në qytetin e Korçës, Manastirliu deklaroi se janë drejt përfundimit 80 qendra shëndetësore dhe pika autoambulancash nga veriu në jug të vendit.
“Përpos ndërhyrjeve në instrastrukturë, ne do të garantojmë shërbime të integruara në çdo qendër shëndetësore, të cilat do të ofrohen pa burokraci falë përdorimit të recetës elektronike, tashmë edhe të referimit elektronik për të caktuar orën dhe ditën e vizitës së specializuar”, tha Manastirliu.
Vetëm në qarkun e Korçës po punohet për rehabilitimin e 6 qendrave shëndetësore, të cilat do të pajisen edhe me aparaturat e nevojshme mjekësore, në kuadër të programit kombëtar të rehabilitimit të 300 qendrave shëndetësore dhe ambulancave në 4 vite.
Rreth 480 mijë qytetarë do të përfitojnë shërbimin shëndetësor parësor, me rehabilitimin e 80 qendrave të para brenda muajit dhjetor.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.