Investime për të nxitur punësimin, Gjiknuri te fasonët: Kemi mbajtur premtimet për Vlorën
Disa nga bizneset fasone në qarkun e Vlorës janë vizituar nga drejtuesi politik i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri. Vizita kishte si fokus njohjen nga afër me problematikat që hasin gjatë aktivitetit të tyre këto sipërmarrje. Duke u ndalur tek ajo çka është bërë në këto 4 vite qeverisje, Gjiknuri vuri theksin tek investimet në energjetike si rezultat i reformës së suksesshme.
“Janë bërë shumë investime dhe do të vazhdojnë. I gjithë qyteti po bëhet me rrjet 20 kV. Investim i rëndësishëm është edhe ai i nënstacionit në Orikum dhe gjithë pjesën bregdetare. 9 milion euro të kontraktuara dhe puna po fillon për ta bërë 20 kV deri në Orikum. Gjithë pjesa e qytetit të Vlorës do ketë investime të konsiderueshme për energjinë elektrike çka sjell furnizim më të mirë për bizneset tuaja. Në këto 4 vite, slogani ynë ‘Të bërit shtet’ është në konceptin që shteti duhet mirëadministruar, territori duhet mirëadministruar, energjia të mos vidhet. Të ketë më shumë të ardhura në mënyrë që të investohet më shumë në të gjithë sektorët. Kjo është garancia, garancia që reformat tona do të vazhdojnë për të prodhuar më shumë të mira materiale për tua kthyer njerëzve me investime por edhe për tu ardhur në ndihmë industrive. Edhe Porti i Vlorës meriton vëmendje më të madhe, qoftë në investime apo në problematikat që unë i dëgjova”, theksoi Gjiknuri.
Gjiknuri ka shkuar edhe në Selenicë e Drashovicë ku është ndalur në projektin që është drejtë konkretizimit, atë të ndërtimit të rrugës së Lumit të Vlorës.
“Po bën një rrugë, që ju e dini shumë mirë, edhe unë e mbajt mend që i vogël. Shumë të tjerë e kanë thënë brez pas brezi, kur do bëhej rruga e Lumit të Vlorës?! Kush do qe ai njeri që do e merrte përsipër ta bënte këtë realitet? Praktikisht Edi Rama e mbajti fjalën, qeveria socialiste e mbajti fjalën, rruga ka filluar, do vazhdojë e do sjellë potenciale të mëdha ekonomike. Nuk është thjesht se njerëzit duan të shohin një rrugë, rruga sjell zhvillim, rruga ju sjell shumë afër me qytetin e Vlorës i cili në vetvete po transformohet”, nënvizoi Gjiknuri.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.