Investime të bllokuara në gjykatë, Crawford: Bizneset e huaja kanë pritur deri 5 vjet për një vendim

Pas raportit vjetor të Shoqatës së Investitorëve të Huaj dhe në pritje të raportit të të Bërit biznes në Shqipëri nga Dhoma Amerikane e Tregtisë, Presidenti i kësaj të fundit Mark Crawford ka folur për emisionin “Argument”. Në lidhje me kushtëzimet negative të kompanive të huaja që operojnë në Shqipëri, Crawford konfirmoi përsëri radhët dhe pengesat si pasojë e vendimeve të gjykatave.
“Njoh disa investitorë të huaj që kanë pasur probleme. Kanë shkuar në gjykata dhe kanë pritur një vit, 2 vite, 3 vite, 5 vite. Ka ndodhur diçka në fund, por ata duhet të presin 5 vite. Kuptohet që ata kanë menaxherët dhe investitorët e tyre që janë jashtë Shqipërie dhe nuk e kuptojnë pse duhet të presin 5 vite. Kur kalon 2 vite, duket si një “flamur i kuq” dhe nuk mund të investohet në një vend që do të ketë probleme, dhe gjithmonë do ketë probleme”.
Ky problem duket se transmetohet edhe ndërmjet investitorëve të huaj, kryesisht në rastin që këto kompani janë të listuara në bursa ndërkombëtare.
“Edhe ata që nuk janë duke investuar përmes kompanive, janë duke lexuar për problemet dhe shikojnë se kjo kompani është duke investuar vetëm në një komb, në Shqipëri. Ku është Shqipëria? Është në Europë. Pse janë ngrirë për dy vite pa aktivitet? Janë në gjykatë! Mund të jenë të fajshëm mund të jenë të pafajshëm këtë nuk e dimë. Bëjnë investime dhe menaxherët e tyre do të kërkojnë për ndonjë mbështetje se përse ka ndodhur kjo gjë? Do shikojnë çfarë ka thënë Ambasadori amerikan për gjykatat, “janë të korruptuara”. Këtë e kanë thënë Ambasadorët e BE që “janë të korruptuara”. Ne nuk kemi faj si menaxherë, kjo është diçka jashtë parashikimit dhe është forcë maxhore.”
Duket se problemet e biznesit vazhdojnë të mbeten në dyert e gjykatave, si për çështje pronash po ashtu dhe për raste penalitetesh financiare.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.