Investimet dhe borxhi në 2016 – Diskutimet ne Kuvend, opozita dhe mazhoranca versione të ndryshme

Diskutimet për buxhetin faktik të vitit 2016 kanë sjellë në kuvend dy versione të ndryshme, një nga mazhoranca dhe një nga opozita. Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili dhe mbrojti në emër të qeverisë këtë buxhet, u shpreh se gjatë vitit 2016 është ulur borxhi publik, u punësuan rreth 650 mije vetë, ndërsa deficit buxhetor arriti në 1,8 % te PBB.
“Buxheti 2016 mundësoi arritjen e disa objektivave thelbësore të tilla si: sigurimin e një balance optimale midis konsolidimit të stabilitetit makroekonomik e fiskal të vendit nga njëra anaë dhe ruajtjen e trendit përshpejtues të rritjes ekonomike nga ana tjetër. Buxheti 2016 ishte shtylla kryesore e finalizimit me sukses të marrëveshjes dypalëshe të bashkëpunimit me Fondin Monetar Ndërkombëtar, e cila ka krijuar premisat e domosdoshme për të garantuar uljen e borxhit publik në vijim. Viti 2017 dhe viti 2018, pra projektbuxheti i vitit 2018, janë faktet më të mira që edhe me një marrëveshje të natyrës monitoruese me FMN-në, pra jo kushtëzuese, borxhi publik vazhdon të ulet. Kush na detyroi ta ulim borxhin publik? FMN-ja? Jo, FMN-ja nuk është më në një marrëveshje detyruese me ne, por është marrëveshja detyruese me qytetarët shqiptarë dhe përgjegjshmëria e kësaj qeverie”, u shpreh Ahmetaj.
Por me shifra i është përgjigjur dhe deputeti i PD, Edmond Spaho, sipas të cilit, në 2016 politika e rritjes se taksave rezultoi e dështuar, pasi u rritën taksat, por jo të ardhurat.
“Gjatë këtij viti, sikurse në vitet paraardhëse, politika e rritjes së taksave rezulton e dështuar, sepse me gjithë rritjen e tyre, në buxhet mblidhen më pak të ardhura, kurse qytetarëve dhe bizneseve u shtohet barra financiare. Planifikimi i të ardhurave në vitin 2016 u bë me rezerva rreth 0.3% më të ulëta se sa viti 2015. Paralelisht me këtë qeveria vendosi të rrisë disa taksa si akciza e birrës, kontributi i sigurimeve shoqërore për profesionet e lira, taksën e qarkullimit për të ashtuquajtura makina luksi, primin e sigurimeve, taksën e truallit dhe disa taksa të tjera. Parashikoi që në buxhet rritja e taksave të sillte 2.6 miliardë lekë më shumë, por për shkak të korrupsionit, evazionit fiskal dhe mangësive në administrim viti 2016 u mbyll me një diferencë prej 6.4 miliardë lekë, ose rreth 64 milionë dollarë më pak, e shkaktuar kryesisht nga mungesa në mbledhjen e dy taksave kryesore, TVSH-së dhe akcizat me mbi 6% secila”, argumentoi Spaho.
Buxheti faktik i vitit të shkuar shoqërohet edhe me raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili analizon dhe nxjerr fakte dhe shifra se si janë menaxhuar fondet publike nga administrata shtetërore, qendrore dhe lokale.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.