Investimet e huaja – 80% erdhën nga TAP dhe Bankers
TAP dhe Bankers Petroleum siguruan rreth 80% të vlerës së investimeve të huaja direkte për tremujorin e katërt të vitit të kaluar.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, prurjet e larta të investimeve të huaja në Shqipëri mbështeten kryesisht në sektorin energjetikë dhe në atë të industrisë nxjerrëse.
Nga 276 milionë euro investime të huaja në tremujorin e katërt 2016, 167 milionë ose rreth 60% e totalit i takonte sektorin të energjisë, ku është intensifikuar puna për ndërtimin e gazsjellësit TAP.
56 milionë euro të tjera vijnë nga industria nxjerrëse, sektor i dominuar nga industria e naftës dhe kryesisht nga Bankers Petroleum.
Në sektorët e tjerë ekonomikë, vlera e investimeve është modeste. I treti renditet sektori financiar, me 21 milionë euro. Edhe në këtë rast, nuk bëhet fjalë për investitorë të rinj, por injektime shtesë kapitali nga ata ekzistues, kryesisht në sistemin bankar.
Për vitin e kaluar, qeveria shpalli me krenari prurjen prej 1 miliardë eurosh investime të huaja, ndonëse shifra e saktë e publikuar nga Banka e Shqipërisë ishte 959 milionë euro.
Megjithatë, fakti është se investimet ngelen të përqendruara në pak sektorë dhe në projekte kalimtare, sado të mëdha, siç është TAP.
Përqendrimi në pak sektorë dhe ndërmarrje e bën të brishtë perspektivën e ruajtjes së niveleve të larta të investimeve të huaja në afatin e gjatë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.