Investimet e huaja – Qeveria do shtyjë mbrojtjen e posaçme deri në 2018

Çështja e pronësisë është lakuar kohë pas kohe si një nga problemet më të mëdha që ka frenuar investitorët e huaj.
Në shumë raste për të njëjtin truall ka pasur pretendime nga dy ose tre persona, kurse zvarritja nëpër gjykata ka mbajtur peng për vite të tëra investitorët.
Në këto kushte në vitin 2010 qeveria do të miratonte një mbrojtje të posaçme për investimet e huaja duke dalë ajo si palë në gjykatë në vend të investitorit.
Por kjo u garantua deri në vitin 2014. Tani qeveria po synon që të zgjasë afatin për mbrojtjen e posaçme deri në vitin 2018.
Të paktën kështu është përcaktuar në një projektligj që aktualisht është në fazë konsultimi në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
“Në nenin 1 në piken e parë është parashikuar zgjatja e afatit te mbrojtjes se posaçme deri me datë “31 Dhjetor 2018” thuhet në relacion.
Por duket se të njëjtën mbrojtje do të gëzojnë edhe ato që konsiderohen investime strategjike.
“Mbrojtje të posaçme shtetërore sipas parashikimeve të këtij ligji, përfitojnë automatikisht dhe pa patur nevojën e ndjekjes së ndonjë procedure apo marrjes së ndonjë vendimi tjetër, edhe investitorët/investimet strategjike” përcakton neni i ri i projektligjit.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.