Investimet e huaja rezistojnë – Në rritje edhe për 3-mujorin III, falë fitime të riinvestuara
Investimet e huaja direkte rezistuan në rritje edhe për tremujorin e tretë të vitit dhe arritën vlerën e 272 milionë eurove. Mbështetur në statistikat e Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja u rritën me lehtë me tre milionë euro krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar. Të dhënat progresive tregojnë për 9-mujorin investimet e huaja direkte arritën shifrën e 810 milionë eurove, në rritje me 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Projektet e mëdha të investimeve të huaja si, gazsjellësi TAP apo HEC-et e Banjës dhe të Moglicës në kaskadën e Devollit pothuajse kanë përfunduar, por investimet e huaja kanë vazhduar të rriten dhe kjo ka ardhur kryesisht falë fitimeve të riinvestuara nga kompanitë e huaja ekzistuese.
Nëse investimet e reja në tremujorin e tretë pësuan rënie me 23 milionë euro, fitimi i riinvestuar u rrit me 28 milionë euro krahasuar me një vit më parë, duke luajtur një rol përcaktues në rritjen e investimeve të huaja.
Gjatë viteve të krizës, Shqipëria dhe shumë vende të tjera të Europës Qendrore dhe Lindore, u përballën me largimin e investitorëve të rëndësishëm, sidomos në sektorë strategjikë si sistemi bankar apo telekomunikacionet. Kjo ndodhi për shkak të rënies së përfitueshmërisë dhe optimizmit në rënie dhe rreth potencialeve të tregut, ndërsa specifikisht për bankat largimi u përcaktua kryesisht nga kërkesat e shtuara për kapital nga autoritetet rregullatore të Eurozonës.
Fakti që tashmë ndërmarrjet e huaja po riinvestojnë më shumë nga fitimet e tyre është një zhvillim pozitiv dhe që dëshmon angazhim të qëndrueshëm në biznesin e tyre në Shqipëri. Ky është një sinjal se investitorët presin një kthesë në ciklin ekonomik dhe potenciale në rritje për të zgjeruar biznesin dhe fitimet e tyre në të ardhmen.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.