Investimet e huaja – Rritje galopante e energjisë, “ngrin” telekomunikacioni
Investimet e huaja direkte në pesë vitet e fundit janë rritur me ritme të larta. Sipas Bankës së Shqipërisë, në fund të shtatorit 2018 stoku i investimeve të huaja në Shqipëri arriti në afro 7.4 miliardë euro. Që nga fillimi vitit 2014, investimet e huaja janë rritur me rreth 80%. Sektori me rritjen më të madhe ka qenë padyshim energjia, kryesisht falë projekteve madhore të TAP dhe Devoll Hydropower. Nëse në fillim të vitit 2014 stoku i investimeve të huaja direkte në sektorin energjisë ishte vetëm 13 milionë euro, në shtator të vitit të kaluar arriti në pothuajse dy miliardë euro. Sektori me vlerën e dytë më të lartë të investimeve të huaja në ekonomi ngelet ai i telekomunikacioneve dhe informacionit, me pothuajse 1.2 miliardë euro. Megjithë, stoku i investimeve në këtë sektor është rritur me ritme modeste, rreth 3% në pesë vitet e fundit.
Burimi: Banka e Shqipërisë
Investimet e huaja janë rritur edhe në një tjetër sektor strategjik të shërbimeve, në atë financiar. Investimet e huaja kanë arritur vlerën e afro 1.1 miliardë eurove, afro 50% më shumë krahasuar me pesë vjet më parë. Kontribuesi kryesor ka qenë sektori bankar, jo edhe aq nga investimet e reja, sesa nga nga rritja e investimit të bankave ekzistuese, përmes shtimit të kapitalit.
Nga ana tjetër, në këto pesë vjet, ka pasur edhe sektorë të rëndësishëm ku investimet e huaja kanë rënë. Kështu, në sektorët e transportit dhe hotelerisë, investimet e huaja kanë rënë me 34% krahasuar me pesë vjet më parë.
Një tjetër sektor ku sipërmarrja e huaj nuk ka fituar ndonjëherë kuotë është ndërtimi. Stoku i investimeve të huaja në këtë sektor ka ngelur pothuajse në të njëjtin nivel me vitin 2014, me rreth 135 milionë euro.
Burimi: Banka e Shqipërisë
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.