Investimet e huaja – Telekomunikacionet mbajnë “fronin”

Komunikimi është sektori i ekonomisë shqiptare që ka tërhequr më shumë kapitalin e huaj. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, deri në fund të marsit 2017, investimet e huaja në telekomunikacione kanë arritur në 1.22 miliardë euro.
Falë investimeve në ndërmarrjet e mëdha strategjike të komunikimit të lëvizshëm dhe fiks, ky sektor ngelet ende prurja më e madhe e investimeve nga jashtë në ekonominë shqiptare.
Ndërkohë, sektori që po regjistron rritjen më të shpejtë vitet e fundit është energjetika. Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e parë të këtij viti investimet e huaja në energji arritën në pak më shumë se 1 miliard euro.
Në harkun e dy viteve të fundit, investimet e huaja në këtë sektor janë rritur më shumë se dy herë, falë kontributit të lartë të veprave madhore, si gazsjellësi TAP apo Hidrocentralet në kaskadën e Devollit.
Dega tjetër e shërbimeve që ka tërhequr qysh herët kapitalin e huaj është sistemi bankar dhe financiar. Aktivitetet financiare ngelen ende ndër thithësit kryesorë të investimeve të huaja, me një stok që arriti në 952 milionë euro në fund të marsit të këtij viti.
Ndërkohë, industria nxjerrëse, një nga aktivitet që ka tërhequr interes të lartë sidomos në dekadën e fundit, ngelet e katërta, me 803 milionë euro investime. Dega tjetër që ka një stok të lartë të investimeve të huaja është industria përpunuese, me rreth 623 milionë euro.
Banka e Shqipërisë vlerëson se stoku total i investimeve të huaja në ekonominë shqiptare ka arritur në 5.8 miliardë euro, me një tendencë të qëndrueshme në rritje gjatë viteve të krizës.
Rolin kryesor në rritjen e investimeve të huaja e kanë luajtur projektet e mëdha në energjetikë, vijimësia e investimeve në industrinë nxjerrëse, por edhe injektimet e vazhdueshme të kapitalit shtesë në sistemin bankar, prej grupeve të huaja bankare që zotërojnë aktivitete në Shqipëri.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.