Investimet e individëve – U rritën në bono, fonde investimi dhe prona
Ashtu siç pritej, gjysma e parë e këtij viti solli rënie të nivelit të depozitave bankare të individëve. Kjo ishte e parashikueshme, duke pasur parasysh rritjen e shpenzimeve gjatë fushatës zgjedhore.
Në fund të qershorit, depozitat bankare të individëve ishin rreth 20 miliardë lekë më pak krahasuar me fillimin e vitit. Por, nga ana tjetër, një pjesë e mirë e këtyre parave të tërhequra nga depozitat kanë qëndruar brenda sistemit financiar.
Kështu, në fund të qershorit investimet në fondet e investimit u rritën me gjashtë miliardë lekë që nga fillimi i vitit. Individët kanë kërkuar alternativa kthimi më të lartë, duke pasur parasysh interesat tejet të ulëta të depozitave.
E njëjta tendencë është vërejtur edhe me investimet e individëve në bonot dhe obligacionet e qeverisë shqiptare. Në fund të qershorit, vlera e këtyre investimeve arriti në 82 miliardë lekë, në rritje me dy miliardë lekë që nga fillimi i vitit.
Një pjesë e mirë e investimeve të individëve në gjysmën e parë të këtij viti kanë shkuar edhe për pasuri të paluajtshme. Ndonëse përllogaritja e vlerës së plotë të investimeve në prona është e vështirë, një pjesë e shifrës mund të llogaritet duke parë ecurinë e kredisë së re për blerje banesash. Për gjysmën e parë të këtij viti, sistemi bankar ka dhënë rreth 11.5 miliardë lekë kredi për këtë qëllim.
Duke pasur parasysh përqindjet e përafërta që financon banka për këtë lloj investimi, vlerësohet se vetë kredimarrësit kanë investuar rreth 5 miliardë lekë për blerjen e banesave. Megjithatë, kjo shifër përbën vetëm një pjesë të investimeve të familjeve për blerje pronash, të cilës i duhen shtuar blerjet e financuara nga kursimet e tyre, që, për momentin, janë të pamundura për t’u matur.
Duke parë shifrat, duket se paratë e dala nga sistemi bankar, në pjesën më të madhe, thjesht janë kanalizuar në forma të tjera investimi.
Vlerësim mbi investimet e individëve në 6-mujorin I 2017 | |||
Depozitat | -20 | mld lekë | |
Fondet e investimit | 6 | mld lekë | |
Bono dhe obligacione | 2 | mld lekë | |
Pasuri të paluajtshme | 5 | mld lekë |
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.