Investimet e mëdha në bujqësi – 263 aplikime për grante në shuma të mëdha, së shpejti fituesit
Rreth 263 dosje janë dorëzuar pranë Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural si aplikime për përfitim grantesh nga skemat e investimeve të vëna në dispozicion për këtë vit.
Aktualisht ky institucion është në proces të përpunimit dhe verifikimit të dokumentacionit përkatës, rakordimit edhe me institucionet e tjera dhe pritet që së shpejti të shpallen fituesit.
Konkretisht buxheti i vënë në dispozicion për 20 masa mbështetëse për investimet e mëdha është 1.5 miliardë lekë dhe do të përfitojnë aplikantët që plotësojnë kriteret dhe kanë dorëzuar plane të mirëfillta biznesi për investime në sera diellore, ambiente grumbullimi dhe ruajtëse frigoriferike, linja përpunimi, seleksionimi, paketimi, ndërtimi i thertoreve, i pikave të reja të grumbullimit të qumështit etj.
Për masat mbështetëse të investimeve në rastin e ndërtimeve/rikonstruksioneve aplikuesi duhet të ketë lejen përkatëse të ndërtimit sipas legjislacionit në fuqi, para lidhjes së kontratës.
Skemat Kombëtare 2018 janë ndarë në 52 masa mbështetëse, ku 32 prej tyre i përkasin mbështetjes direke.
Sa i përket masave direkte, janë shpallur rreth 4600 fitues paraprak dhe 1 mijë të tjerë janë në pritje. Buxheti për këto masa është rreth 1 miliardë lekë.
Në total për mbështetjen e bujqësisë, këtë vit janë vënë në dispozicion 20 milion euro.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.