Investimet italiane – Cutillo: Përfitime nga reforma në drejtësi
Investitorët e huaj do të mbledhin së shpejti frutet e reformës në drejtësi. Ambasadori italian, Alberto Cutillo, tha sot gjatë asamblesë së Konfindustrisë Italiane në Shqipëri se reforma po hyn në një fazë të rëndësishme dhe do të sjellë përfitime të prekshme në klimën e biznesit.
“Reforma në drejtësi po hyn në një fazë të rëndësishme. Kjo fazë sigurisht nuk do të jetë e shkurtër, por jam i sigurt se bizneset do të kenë mundësi të prekin rezultatet pozitive që do të vijnë nga kjo reformë. Rivlerësimi i të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve do ta përmirësojë sistemin e drejtësisë në Shqipëri, me përfitime edhe për klimën e biznesit”, u shpreh Cutillo.
Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Sonila Qato, tha se qeveria po pakëson procedurat burokratike, si edhe po reformon agjencitë dhe inspektoratet e lidhura me sipërmarrjen. Ajo tha se qeveria shqiptare mirëpret investime të huaja, sidomos në sektorë si energjetika, infrastruktura apo teknologjitë e informacionit dhe komunikimit.
“Fushat në të cilat ne kërkojmë kooperim dhe investime konkrete nga investitorë të huaj janë fushat e infrastrukturës dhe planifikimit urban, mjedisit dhe turizmit, të teknologjisë dhe prodhimit të energjisë nga burimet e gazit, të teknologjive të informacionit, komunikimit, start-up-eve dhe inovacionit”, tha Qato.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar stoku i investimeve italiane në Shqipëri ishte rreth 652 milionë euro.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.