Investimet kapilare të Bashkisë – Veliaj: Fokusi në zonat peri-urbane

Bashkia e Tiranës ka nisur punën për transformimin e bllokut që kufizohet nga Rr. “Llambi Bonata” – “Haki Stermilli” – “Musine Kokalari” në Kombinat, si dhe rikonstruksionin e Rr. “Zyber Zeneli”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi fillimin e punimeve në të gjithë lagjen dhe u shpreh se në dy vitet e dyta të mandatit, fokusi do të jenë në zonat peri-urbane, si Kombinati dhe zonat përreth.
“Në dy vitet e dyta të mandatit, fokusin më të madh do ta kemi në zonat peri-urbane, Kombinati, Astiri, Yzberishti, Yrsheku, Unaza e Re, për t’u siguruar që të njëjtin transformim që kemi patur në qendër të Tiranës, ta kemi edhe në periferi. Në të dy anët kryesore të rrugës së Kombinatit, si tek blloku “Misto Mame”, ashtu edhe tek “Llambi Bonata”, po bëjmë ndërhyrje kapilare në infrastrukturë. Fillojmë fillimisht me 3 blloqe pallatesh që janë zemra historike e Kombinatit, shumë prej tyre të bëra me punë vullnetare, ende me mbishkrimet PPSH sipër. Kjo do të thotë se nuk është venë dorë që në kohën e asaj partie dhe e atyre punëve vullnetare”, tha Veliaj.
Ai u ndal edhe në një tjetër investim të rëndësishëm, jo vetëm për zonën e Kombinatit, por edhe për Tiranën, sikurse është sistemi i zonës së varrezave të Sharrës. Veliaj kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për lirimin e hapësirave të zëna në kundërshtim me ligjin, të cilat pengojnë ndërtimin e rrugëve, pasi në të kundërt, do të jetë Inspektoriati Ndërtimor që do të ndërhyjë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.