Investimet në agroturizëm – Rama inspekton hapjen e një bujtine në Prezë
Investimet në fushën e agroturizmit, sipas kryeministrit Edi Rama, janë një shembull që duhen ndjekur.
Gjatë inspektimit të një bujtine të ngritur në Prezë, Rama vlerësoi iniciativën duke ftuar të gjithë sipërmarrësit të përfitojnë nga lehtësitë fiskale për të investuar në këtë fushë. Ndërsa sipërmarësi tregon se si e ka nisur biznesin.
“Përveç paketës së lehtësimeve të taksave, tani 5% tatim fitimin, por edhe me TVSH-në 6% siç është për hotelet me 5 yje, por, siç ju kemi dhënë ju, jemi shumë të angazhuar t’i japim mbështetje financiare direkte të gjithë atyre që duan të bëjnë transformime të tilla që shkojnë në drejtim të promovimit të zonave, të bukurive natyrore. Po shohim që ka gjithmonë e më shumë kërkesë dhe faktikisht, llogaria është shumë e thjeshtë, edhe për ata që janë në emigracion e që kanë një shtëpi në fshat, apo kanë një tokë, nëse ndërtojnë një agroturizëm, kanë më shumë të ardhura sesa çdo rrogë në emigracion”, – u shpreh Kryeministri Rama.
Kryeministri shtoi se falë edhe këtyre shembujve të suksesit, numri i fermerëve, të cilët aplikojnë për mbështetje nga AZHBR-ja është në rritje.
“Ky është efekt zinxhir. Në fillim, kur bëmë thirrjen e parë nuk patëm aplikime. Tani janë bërë edhe më shumë. Në gjithë këtë peizazh, gjithkush që ka një mundësi, ka më shumë sesa aq sa i duhet për të jetuar vetë, mund ta kthejë direkt në një bujtinë shtëpinë dhe pranë shtëpisë ndërton një agroturizëm dhe gjithçka ndryshon”, – u shpreh Kryeministri.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.