Investimet në çdo lagje – Nis ndërtimi i rrugës “Dalip Topi”, tek Kodra e Priftit

Investimet në çdo lagje të kryeqytetit po vijojnë me ritme të shpejta. Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e rrugës “Dalip Topi”, në zonën e Kodrës së Priftit në Njësinë Nr. 3, e cila i vjen në ndihmë një komuniteti të madh, i vendosur aty kryesisht pas viteve ‘90.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, inspektoi fillimin e punimeve të rrugës dhe siguroi qytetarët se gjatë këtij viti, institucioni që ai drejton do të ketë si prioritet kryerjen e investimeve në të gjithë Tiranën.
“Dua t’i garantoj qytetarët, se pavarësisht se qyteti, ashtu si e gjithë Shqipëria, do të hyjë në fushatë zgjedhore, kjo nuk do ndikojë aspak në punën e Bashkisë së Tiranës. Siç kemi punuar çdo ditë me një punë konkrete, kështu do të vazhdojmë gjatë gjithë kësaj periudhe, teksa përgatisim kopshtet, çerdhet, shkollat për fillimin e vitit të ri akademik. Jemi të fokusuar te puna dhe besoj se Tiranën e kemi çuar në drejtimin e duhur dhe do të mbajmë këtë ritëm“, tha Veliaj.
Duke siguruar ruajtjen e të njëjtit ritëm në investimet e kryeqytetit, Veliaj deklaroi se cilësia e tyre do të jetë e njëjtë si në qendër, ashtu dhe në zonat rurale.
“Në javët në vijim do të hapim sheshin “Skënderbej”, Bulevardin e Ri, do të vazhdojmë me investimet madhore, por besoj se përtej sheshit, bulevardit, pazarit, stadiumit, qytetarët kanë nevojë edhe për ato që janë kapilarët e jetës në komunitet, që janë këto rrugë dhe këto ndërhyrje në lagje, për të bërë diferencën. Se nuk ka rëndësi nëse je në këtë anë të Tiranës urbane apo në anën tjetër, rurale. Të gjithë meritojnë të njëjtin standard nga periferia deri në qendër”, tha kryebashkiaku.
Në rrugën “Dalip Topi” Bashkia e Tiranës parashikon sistemimin e ujërave të zeza e të bardha dhe ndërtimin e mureve mbajtës. Përveç asfaltimit është projektuar edhe pajisja e rrugës me ndriçim e sinjalistikë, si dhe gjelbërimi i saj.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.