Investimet në Eurozonë, BQE: Rriten në Dhjetor, tkurret sufiçiti i llogarisë korrente

Fluksi i investimeve në Eurozonë është rritur në muajin Dhjetor, ndërsa sufiçiti i llogarisë korrente në bllokun e monedhës së përbashkët ra lehtë.
Të dhënat e Bankës Qendrore Europiane treguan se investimet direkte dhe ato të portofolit të kombinuara, u rritën në 121.9 miliardë euro në muajin Dhjetor, krahasuar me fluksin dalës prej 13.8 miliardë që ishte një muaj më herët, pasi investimet direkte thuajse u dyfishuan, ndërsa flukset e portofolit përmbysën rënien.
Ndërkohë, sufiçiti i llogarisë korrente në 19 vendet e Eurozonës u tkurr në 31 miliardë euro, nga 36.4 që ishte në muajin Nëntor. Sufiçiti tregtar i mallrave u rrit në 31.7 miliardë euro, ndërsa në shërbime ra në 4.6 miliardë.
Të ardhurat primare u përgjysmuan në 5.4 miliardë euro, nga 12.2 miliardë që ishin në Nëntor. Sipas rezultateve fillestare, për 2016-ën në total, llogaria korrente regjistroi një sufiçit prej 364.7 miliardë euro, ekuivalent me 3.4% të Produktit të Brendshëm Bruto të rajonit, krahasuar me 3.1%, apo në 319.3 miliardë që ishte një vit më parë.
Klevis Llaha/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.