Investimet në hapësirat e gjelbërta! Dëmtimet, sa shpenzon bashkia për mirëmbajtje?
Pavarësisht investimeve në gjelbërim, paralajmërimeve për mirëmbajtje dhe ndëshkimeve me gjoba për vandalizim, Bashkisë së Tiranës i duhet një fond i posaçëm për mirëmbajtjen dhe rikontruksionin e sipërfaqeve të gjelbërta për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit nga ana e qytetarëve.
Kështu vetëm në 6 muajt e parë të vitit janë rreth 6.8 milion lekë që kanë shkuar për mirëmbajtjen e sipërfaqeve të gjelbërta dhe rikonstruksionet në kryeqytet. Të dhënat e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit bëjnë me dije se vlera në lekë e shpenzimeve të realizuara në sipërfaqet e gjelbërta në gjysmën e parë të vitit janë rreth 70 milionë lekë.
Ku përpos mirëmbajtjes dhe rikonstruksioneve, përfshihen edhe mbjelljet e reja, baza materiale, vendosja dhe lyerja e stolave si dhe pesticidet e përdorura.
Vetëm për periudhën Prill-Qershor 2018,vlera e dëmtimeve nga ana e qytetarëve është regjistruar në rreth 3.5 milion lekë. Ndërsa mbjelljet e reja gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2018 zënë edhe pjesën më të madhe të shpenzimeve totale, ku për këtë zë kanë shkuar rreth 64 milionë lekë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.