Investimet në infrastrukturë – Veliaj: Rrugë e re në Sauk, ndërhyrje në 80 të tjera

Banorët e Saukut tashmë kanë një rrugë të re. Bashkia e Tiranës përfundoi investimin për ndërtimin lotit të dytë të rrugës “Hermann Gmeiner”. Gjatë inspektimit të punimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, siguroi se gjatë verës do të ndërhyhet në mbi 80 rrugë në të gjitha zonat periferike të Tiranës.
“Sot nuk jemi në Bllok, por po të shohësh rrugën si është shtruar, asfaltuar, si janë bërë kanalizimet, trotuaret, si janë vendosur stolat, si janë mbjellë ullinjtë dhe bari, do të thotë që po punojmë me të njëjtin standard në çdo cep të Tiranës. Çdo rrugë, çdo trotuar, çdo stol, pemë e mbjellë rrit vlerën e gjithë banorëve, e shtëpive dhe gjithë lagjes. Sot kemi rrugë të reja në Saukun e Vjetër, ku vetëm emri ka mbetur i tillë sepse çdo gjë tjetër po investohet e re, duke nisur nga palestra e shkollës “Ibrahim Brahja”, deri tek investimet në infrastrukturën rrugore”, tha Veliaj.
Duke theksuar se investimet e Bashkisë kanë dhënë një impakt pozitiv në rritjen e vlerës së pronës, kreu i Bashkisë u bëri thirrje banorëve që të ruajnë ambientet e përbashkëta.
“Dua t’u kërkoj të gjithë banorëve t’i mirëmbajnë, është shumë e rëndësishme që nga ky moment, secili të tregojë kujdes për mënyrën se si mirëmbahet ky territor. Ne duam që kjo të ketë një jetëgjatësi sa më të lartë, kësisoj edhe banesat përreth të kenë një vlerë sa më të lartë në treg, sepse vetëm kështu mundet që gjithë qyteti të ruajë një pamje dinjitoze, por sigurisht që edhe investimet të kenë duk dhe të mund të vijojmë me një lagje tjetër”, u shpreh Veliaj
Veç punimeve sipërfaqësore, në rrugën e re “Hermann Gmeiner” bashkia ka kryer edhe punime nëntokësore në rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha, si dhe është vendosur sinjalistika dhe ndriçimi.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.