Investimet në Kinostudio – Veliaj: Përfundimi i rrugës “Kahreman Ylli”, u shërben 5 mijë banorëve

Rreth 5 mijë banorë që jetojnë në Rr. “Kahreman Ylli” në Kinostudio, tashmë kanë edhe një infrastrukturë moderne urbane. Bashkia e Tiranës ka përfunduar rindërtimin e rrugës “Kahreman Ylli” dhe të segmentit që e lidh atë me rrugën “Hysen Xhura”. Gjatë inspektimit të punimeve kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi se edhe ky investim i jep jetë atij që në Planin e Përgjithshëm Vendor konsiderohet si një nga qendrat e Tiranës policentrike.
“Jam shumë i lumtur që kthehemi te Rr. “Kahreman Ylli”, një rrugë ku i kemi bërë gjërat për së mbari. Fillimisht shtruam ujësjellësin, bëmë kanalizimet, pusetat, pra gjithë rrjetin nëntokësor, e mandej bëmë shtresat e asfaltit, sinjalistikën, ndriçimin, gjelbërimin. Kjo është mënyra e duhur! Për të mos shkuar në Tiranën e 4 viteve të gjumit, ku fillimisht bëhej një asfalt dhe pastaj çahej toka për të bërë punimet e tjera. Kjo është një rrugë që është bërë për së mbari dhe në këtë pol, që është poli i Kinostudios në Tiranën policentrike, pra një qendër më vete, them që kemi hedhur baza të mira”, tha kryebashkiaku.
Veliaj tha se Bashkia e Tiranës, në vijim të detajimit të Planit të Përgjithshëm Vendor, po bashkëpunon me Universitetin e Harvard-it për të përcaktuar se si këto zona do të zhvillohen në pole të veçanta urbanistike.
“Kemi një ekip arkitektësh të Universitetit të Harvard-it, të cilët si për zonën e Kinostudios, edhe për Kombinatin, Laprakën, pra që janë qendrat e reja të Tiranës policentrike, deri në fund të verës do të përgatisin një plan urbanistik vetëm për këto qendra. Duke qenë se në këtë zonë kemi tashmë dy ministri, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Kulturës, duke qenë se i kemi marrë rrugët mbarë, duke zgjeruar hapësirat publike dhe po kthejmë lulishtet e reja, duke qenë se kemi investuar në kënde lodrash, duke qenë se shumica e bankave kanë degët e tyre, shkollat, gjimnazet, disa fakultete të Universitetit të Mjekësisë, pra ka mjaftueshëm shërbime administrative komerciale, për t’u trajtuar si një qendër më vete”, theksoi Veliaj.
Në rrugën “Kahreman Ylli” janë bërë punimet e nevojshme nëntokësore, kanalizimet dhe rrjeti i ujërave të zeza dhe të bardha, si dhe janë vendosur të gjitha linjat rezervë të telefonisë dhe internetit. Gjithashtu rruga është pajisur me sinjalistikën dhe ndriçimin e nevojshëm.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.