Investimet në rrjetin e ujit – Drejt fundit ujësjellësi i Ersekës, Balluku: Për 7000 banorë, 24 orë furnizim
Punimet për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit të Ersekës janë drejt përfundimit, ndërkohë që vënia e tij në funksion do të sigurojë furnizim të pandërprerë dhe me cilësi për banorët e qytetit. Punimet u inspektuan nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila theksoi se nga ky investim përfitojnë rreth 7000 banorë. Gjithashtu, ministrja tha se investimet në rrjetin e ujësjellësit do të vijojnë edhe në zona të tjera.
“E rëndësishme është që 7156 banorë të qytetit të Ersekës do të marrin shërbim më të mirë, por do marrin dhe sasi më të madhe të ujit për frymë, çfarë është dhe synimi, dhe një nga strategjitë tona kryesore për përmirësimin e jetës së qytetarëve, që është strategjia e ujit dhe çfarë është më e rëndësishme, rrjeti do jetë një rrjet i ri, modern i cili nuk do të ketë humbje dhe nuk do të ketë ndotje, ashtu siç ndodhte më parë. E gjithë kjo është në vazhdimësinë e projekteve për përmirësimin e cilësisë së shërbimit të ujit që ne kemi dhe do vazhdojmë jo vetëm në këtë zonë por dhe në zona të tjera dhe me ritme të shpejta”, u shpreh Balluku.
Me ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit bëhet i mundur eliminimi i humbjeve dhe ndotjeve. Gjithashtu, projekti parashikon dhe shmangien e lidhjeve të paligjshme, lidhjen e kontratave të reja dhe pajisjen me matëse të të gjithë abonentëve.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.