Investimet në rrjetin elektrik 10 mln euro në Pogradec, Balluku: Mbulon nevojat për 35 vite

Rreth 48 mijë banorë të Bashkisë Pogradec do të përfitojnë nga investimi 10 mln euro i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, që pritet të rritë cilësinë e furnizimit me energji elektrike.
“I gjithë projekti parashikon 10 fidera dhe përfshin nënstacionin e ri që do bëhet në qytetin e Pogradecit. Jemi duke implementuar 6 fidera dhe 4 fiderat e tjerë do të implementohen bashkërisht me nënstacionin. Ky investim përfundon plotësisht me bërjen e nënstacionit, për të cilin është përfunduar projekti, fillon vitin e ardhshëm sepse ne këtë vit identifikuam terrenin dhe proces të tjera. Në vitin 2020 fillon nënstacioni i ri dhe në 2021 përfundojnë të 10 fiderat”, tha administratori i OSHEE Adrian Çela.
Ndërkaq, sipas ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ky investim, përveçse garanton rritjen e sigurisë së shpërndarjes së energjisë, mbulon nevojat e qytetit për 35 vitet e ardhshme.
“I gjithë ky investim parashikon që të jetë një investim që mbulon nevojat e qytetit për disa dekada, minimalisht për 35 vitet e ardhshme dhe kjo është shumë e rëndësishme. Fakti që rrjeti i amortizuar i qytetit të Pogradecit por jo vetëm, pra i zonave Tushemishtit dhe Drilonit, tashmë po rikonstruktohet dhe po riorganizohet në mënyrën më moderne, padyshim është një nga investimet më të mira të OSHEE-së”, tha ajo.
Investimi përfshin ndërtimin e nënstacionit të ri, vendosjen e 10 fiderave, ndërtimin e 65 kabinave, shtrimin e 42 kilometrave linjë tension i mesën 20 kv , 40 kilometra linjë kabllore me standard të sigurt ABC si dhe vendosjen e 800 shtyllave.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.