Investimet në rrugë – FSHZH: 3 akset e reja që do të ndërtohen, përfitojnë 80 mijë banorë
Është lançuar zyrtarisht programi për investime në rrugë me rëndësi rajonale midis Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bankës Botërore. Pogradec-Tushemisht, Fier – Seman si dhe Qafë Thore- Theth janë edhe tre akset rrugore që do të ndërtohen nga projekti i qeverisë shqiptare përmes një kredie prej 50 mln dollarë nga Banka Botërore.
Kreu i FSHZH-së, Benet Beci ,tha se rrugët që do të financohen nga ky projekt kanë në fokus kontributin në sektorët e bujqësisë dhe turizmit, ndërsa shtoi se kredia mund të financojë edhe segmente të tjerra rrugore.
“Me konkretisht kredia do të financojë ndërtimin e rrugëve: Pogradec-Tushemisht në bashkinë e Pogradecit, Qarku Korçë: Fier – Seman në bashkinë Fier dhe rrugën Qafë Thore – Theth që kompleton lidhjen e Thethit me rrjetin rrugor të asfaltuar. Ka mundësi që kredia të mund të financojë edhe segmente të tjera nëse kostot do e lejojnë”, tha Beci.
Ndërkohë, përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore, Maryam Salim, tha se ky program jo vetëm do të shërbejë për nxitjen e turizmit dhe agrobiznesit në këto zona, por do të rrisë gjithashtu edhe kapacitetin e bashkive për menaxhimin e aseteve rrugore.
Ndërkohë, puna për projektimin e këtyre rrugëve ka nisur tashmë dhe sipas Becit është në fazën përfundimtare të finalizimit të tyre. Ndërsa, punimet për ndërtimin e këtyre tre segmenteve rrugore pritet të nisë në pranverën e vitit të ardhshëm.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.