Investimet në rrugë, Veliaj: Gjatë verës, investime në çdo lagje, rrugët e reja me korsi për biçikletat
Ka nisur puna për një rruge të re që i jep më shumë frymëmarrje një prej zonave më të mëdha të qytetit. Rruga e re do të lidhë rrethrrotullimin e ri me Rr. “Robert Zhvarc” dhe mundëson kalimin më lehtë të automjeteve, biçikletave dhe këmbësorëve në drejtim të zonës së njohur si ish stacioni i fundit i “Tiranës së Re”.
Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi punimet që po kryhen në këtë segment të ri, ndërsa theksoi se Komuna e Parisit po pajiset me të gjithë infrastrukturën e duhur urbane për të qenë një lagje model.
“Filluam me Unazën e Re, pra një aks nga Shkolla Teknologjike, Fabrika e Miellit dhe deri në Farkë, që sistemon të gjithë ata që janë tranzit nëpër këtë zonë. Më parë i gjithë ai trafik shkonte mes përmes Komunës së Parisit. Vazhduam pastaj me hapin e dytë, sistemimet nëpër lagje. Siç e dini, rrethrrotullimi i madh i Komunës së Parisit dhe rrugët me sens unik e kanë bërë një mini-unazë të gjithë këtë lagje, duke qetësuar trafikun midis autostradës dhe stadiumit “Dinamo”.
Ndërkohë, tani po hyjmë në nivel kapilar, në çdo lagje”, u shpreh Veliaj.
Rruga ka një gjerësi prej 23.5 m, ndërsa do jetë e pajisur në të dy krahët me korsi të dedikuara për biçikletat. Sipas kreut të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj këtë vit do të ketë një vëmendje të shtuar që investimet të shtrihen në çdo lagje të Tiranës dhe në zonat rurale.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.