Investimet në sektorin minerar – Shifrat/ Në 2020-ën subjektet raportojnë 21.9 milion dollarë investime, kryeson kromi

Pavarësisht situatës së krijuar nga COVID-19 investimet në sektorin minerar nga ana e subjekteve nuk kanë munguar. Sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, që i referohet deklarimeve të kompanive, në total, vlera e investimeve në sektorin minerar për vitin 2020 arriti në 2.24 mld lekë apo 21.9 mln USD. Subjektet minerare me kapital të huaj kanë investuar 789.9 mln lekë apo 7.74 mln USD.
Ndërkohë që vlera e investimeve nga ana e kompanive me kapital shqiptar është edhe më e madhe, duke u regjistruar në 1.45 mld lekë apo 14.2 mld USD. Investimet më më mëdha regjistrohen në drejtim të mineralit të kormit, duke u fiksuar në 1.19 mld lekë, ndërsa pas këtij minerali vjen bakri me 486 mln lekë, si dhe bitumi dhe zhavori bituminoz me 155.2 mln lekë. Së fundmi komisionet parlamentar po miratojnë disa ndryshime në ligjin “Për sektorin minerar”, duke synuar lehtësime në drejtim të investimeve. Sipas ndryshimeve, parashikohet që detyrimi për depozimtimin e garancisë financiare të investimit për lejet e kërkim-zbulimit ulet në masën 10% .
Aktualisht kjo vlerë është e barabartë me vlerën e investimit që është parashikuar të kryejë shoqëria çdo vit, por shoqëritë minerare e konsiderojnë si një barrë shumë të rëndë financiare, pasi bllokon një pjesës të likuiditeteve të shoqërisë. Viti që lamë pas ishte i vështirë për sektorin e mineraleve, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, që u pasua me rënien e kërkesës dhe rënien e çmimit të mineraleve në tregjet ndërkombëtare.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.