Investimet në spitalet rajonale, Manastirliu: Brenda vitit 4.5 milionë euro për aparatura
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu vizitoi ambientet e rehabilituara të urgjencës së spitalit bashkiak të Laçit dhe urgjencën e riorganizuar të spitalit rajonal të Lezhës. Urgjenca është rikonstruktuar tërësisht dhe është pajisur me defribilatorë, monitorë, elektrokardiograme dhe pajisje për fuqizimin e laboratorit.
Manastirliu deklaroi se investimet në spitalin e Lezhës do të vijojnë edhe këtë vit.
“Së shpejti Lezha do të ofrojë shërbimin e mamografisë dhe do të zgjerohet gama e aparaturave edhe me një sërë pajisjesh si eko obsetrike gjinekologjike, ezhe, defribilator, inkubatorë etj. Jo vetëm Lezha por të gjithë spitalet rajonale do të pajisen këtë vit me aparatura moderne biomjekësore me vlerë 4.5 milion euro për të ofruar shërbimin me cilësi, afër vendbanimit të qytetarëve”, tha Ministrja.
Në spitalin e Lezhës vijon programi i patronazhit, ku mjekët neurologë, kardiologë dhe imazheristë nga spitalet universitare të Tiranës po japin shërbim të specializuar sipas një grafiku tashmë të shpallur në këtë spital.
“Nuk është më e nevojshme që për një neurolog apo kardiolog qytetarët të vijnë në Tiranë por do t’i marrin shërbimet në spitalin e Lezhës. Vetëm në muajt e parë të nisjes së patronazhit të spitaleve rajonale nga spitalet universitare të Tiranës 2225 qytetarë e kanë marrë shërbimin afër vendbanimit të tyre”, tha Manastirliu.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.