Investimet në të mirë të komunitetit – Credins kontribuoi 30 mln lekë në vitin 2016 për përgjegjësinë sociale

Credins Bank ka publikuar të hënën raportin e kontributit të kompanisë gjatë vitit të shkuar në projekte të përgjegjësisë sociale. Këtu përfshihen investimet dhe mbështjetja e një korporate për projektet në dobi të komunitetit, si një detyrim moral për të ndihmuar shoqërinë.
Fushat ku u fokusuan ndihmët e Credins gjatë vitit 2016 kishin të bënin me varfërinë, urinë, shëndetin, arsimimin, por edhe me barazinë gjinore, rritjen e punësimit, inovacionin e infrastrukturën.
Teksa vlera e kontributeve i kalon 30 milionë lekë, ato janë të shpërndara në mënyrë të njëtrajtshme në të 16 objektivat e konsideruara si thelbësore.
Në mbështetje të prodhuesve të Agrobiznesit, Credins investoi 5,7 milionë lekë për krijimin e një platforme inkurajuese dhe që mund t’u tregojë se si t’i shtojnë vlerë produktit të tyre në kërkim të tregjeve të reja.
Një nismë e ndërmarrë nga vetë punonjësit e 57 degëve të bankës ishte dhe “Credins Bank DHURON”, ku përmes dhurimit të veshjeve dhe lodrave u mbështetën fëmijët në nevojë.
Një pjesë e mirë e kontributit, 8,3 milionë lekë shkuan për shëndetësinë, fond i cili u përdor për të mbështetur disa spitale dhe qendra shëndetësore në të gjithë vendin.
Banka ka ndihmuar me fonde edhe disa institucione si bashki dhe shoqata me një vlerë totale prej 5,1 milionë lekësh, të cilat mundësuan blerjen e pajisjeve, kompjuterëve dhe për përmirësimin e infrastrukturës.
Credins është dhe ka qenë gjithmonë një mbështetës i veprimtarive gjithëpërfshirëse si sporti dhe arti. Në vitin 2016, donacionet në këto dy sektorë arritën në 3,6 milionë lekë.
Për të lexuar raportin e detajuar të përfshirjes së Credins në të 16-të objektivat e saj, kliko këtu.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.