Investimet në ujësjellës, BERZH dhe Bashkia e Tiranës nënshkruajnë marrëveshjen
Bashkia e Tiranës dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim nënshkruan të hënën në Londër marrëveshjen e financimit për investime në rrjetin e ujësjellësit të kryeqytetit.
Këto investime përfshijnë dyfishimin e kapacitetit të Bovillës, si dhe ndërtimin e një linje të re për furnizimin me ujë të pijshëm të zonës së Unazës së Re, Yzberishtit dhe Kasharit.
“Mezi pres që në këtë paketë të parë të bëjmë dy investime kryesore: Së pari, zgjerimin e kapacitetit të Bovillës, që është sistemi ynë filtrues. Do dyfishojmë sasinë e ujit që filtrohet për qytetin e Tiranës. Së dyti, ky financim na mundëson një linjë të re magjistrale, nga liqeni i Bovillës direkt në zonën e Unazës së Re, Yzberishtit dhe Kasharit. Një zonë e cila, kur njerëzit u transferuan aty, furnizohej me ujë pusesh e shumë prej banorëve, të nxitur nga çmimet e lira, morën vendime të shpejta, pa menduar që kjo zonë, tashmë me 80 mijë banorë, nuk mund të përballohet me ujë pusi, siç na tregoi vera e kaluar”, deklaroi Veliaj.
Drejtori i BERZH-it për Shqipërinë, Matteo Colangeli, vlerësoi faktin që kjo është hera e parë që banka financon një projekt bashkie, pa mbështetjen e buxhetit të shtetit.
“Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për ne. Po financojmë investime të rëndësishme për të përmirësuar furnizimin me ujë të Tiranës. Për herë të parë në Shqipëri, po financojmë një projekt bashkie pa mbështetjen e buxhetit të shtetit. Kjo gjë është e rëndësishme, por me siguri po shikojmë të bashkëpunojmë më shumë me UKT dhe qytetin, për të realizuar më shumë investime dhe për të zbatuar agjendën e qytetit, për ta bërë Tiranën një hapësirë të gjelbër dhe më të qëndrueshme”, tha Colangeli.
Ndërkaq, kryebashkiaku Veliaj nënvizoi se pas formalizimit të financimit, Bashkia e Tiranës do të fillojë menjëherë punën për dyfishimin e kapacitetit të Bovillës dhe ndërtimin e rrjetit të ri.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.