Investimet nga Kina pritet të rrisin ndjeshëm numrin e vizitorëve në Greqi

Fosun International, konglomerati kinez që po financon transformimin e aeroportit të vjetër të Athinës në një nga projektet më të mëdha të resorteve luksoze në Europë, po synon tashmë turizmin grek.
Fosun kërkon të përdorë pronësinë në operatorin e udhëtimeve Thomas Cook për të nisur paketa të udhëtimeve veçanërisht për tregun kinez. Qeveria projekton se 1.5 milionë kinezë do të udhëtojnë drejt Greqisë në terma afatmesëm.
Turizmi përbënte për ¼-ën e Produktit të Brendshëm Bruto të Greqisë në 2016-ën, tregon Konfederata e Turizmit në Greqi.
Shifra e vizitorëve për 2016-ën arriti në 28.1 milionë, në rritje me 7.6% nga viti i kaluar. Turizmi ka gjeneruar 13.2 miliardë euro, tregojnë të dhënat e Bankës së Greqisë.
Sipas kompanisë kineze, Greqia përbën një vend të sigurt për vizitorët dhe se ka mundësi të mëdha për investime. Një rritje e vizitorëve kinezë në Greqi do të sillte fluturime direkte nga Pekini dhe Shangai drejt Athinës.
Fosun International bën të ditur se ekonomia e Greqisë po rimëkëmbet duke sjell mundësi për investitorët. Kompania po joshet gjithashtu nga sektori bankar i Greqisë, pasi ka bërë një ofertë të palimituar për blerjen e njësisë së sigurimeve të Bankës Kombëtare të Greqisë (NBG).
Fosun është gjithashtu pjesë e një sipërmarrjeje të përbashkët për të kthyer Hellenikon, ish aeroportin e Athinës, në një resort luksoz sa dyfishi i Central Park në New York.
Greqia, në një kohë të rritjes së ngadaltë ekonomike dhe nën programin e tretë të shpëtimit nga kreditorët ndërkombëtar, ka nevojë për këto investime.
Kryeministri grek Alexis Tsipras do të marrë pjesë në forumin e biznesit “One Belt, One Road”, që fillon më 14 Maj në Pekin, për të takuar investitorë dhe promovuar partneritete mes vendeve.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.