Investimet për dijen – Veliaj: I kthyem qytetit një bibliotekë të re
Investimi te bibliotekat është investim për dijen dhe për të ardhmen. Kështu ka deklaruar kreu i bashkisë Erion Veliaj, pas rikonstruksionit të Biblioteka Nr. 4 në kryeqytet.
Veliaj theksoi se sfida e shoqërisë së sotme, përfshi edhe institucionet shtetërore, është të heqë fëmijët nga pajisjet teknologjike dhe ti kthejë ata te libri duke lajmëruar se shumë shpejt Bashkia e Tiranës do të nisë një fushatë që synon të sjellë sa më shumë libra në këto biblioteka.
“Sot është një ditë e mirë për Tiranën, është një ditë e bukur sepse besoj që civilizimi që ne i përkasim, ai i librave, i dijes, i shkrimtarëve, i njerëzve të mençur, ka përparuar ndaj asaj racës tjetër, të bingove, lotove, basteve, të logjeve. Për gjitha këto arsye duhet të këmbëngulim që civilizimi që përfaqësojmë, i librave, i dijes, i të qenit konstruktiv, pozitiv, i të qenit me energji të mirë, duhet ta fitojë luftën me industrinë e basteve, lotove”, tha ai.
Krahas rikonstruksionit total të godinës dhe mjediseve të brendshme, Biblioteka Nr.4 në Njësinë Administrative 9, e cila do të mbajë emrin e gjuhëtarit dhe përkthyesit të njohur shqiptar, Petro Zheji është pasuruar edhe me një fond të ri prej më shumë se 600 librash.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.