Investimet publike në 9 muaj – Shpenzimet kapitale, 10.7 mld lekë më shumë se viti 2016
Zëri i investimeve publike është një ndër më të rëndësishmit në buxhetin e shtetit, në këtë kohë kur opinioni publik po zien nga debatet për buxhetin e vitit te ardhshëm.
Ndërkohë që çdo vit që korrespondon me zgjedhjet parlamentare, investimet elektorale janë ato që diskutohen më tepër.
Por duke parë statistikat zyrtare të Ministrisë së Financave, vihet re se për periudhën 9 mujore realizimi i këtyre investimeve është në nivele jo të larta, me konkretisht në afro 56 % e planifikimit vjetor.
Kështu referuar të dhënave të treguesve fiskalë për këtë periudhë, shpenzimet kapitale paraqesin një realizim në masën rreth 41.3 miliard lekë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ky zë është rreth 10.7 miliard lekë më shumë.
Po sipas këtyre të dhënave, realizimi me financim te brendshëm është në vlerën e 25.1 miliardë lekëve, ndërsa investimet me financim të huaj për këtë periudhë arrijnë në 19.4 miliardë lekë.
Ndryshimet në ligjin për buxhetin e shtetit ka bërë që të mirëmenaxhohen financat publike.
Kjo pasi mosrealizimi i investimeve publike gjatë viteve të fundit ka qenë një ndër problematikat e manaxhimit të buxhetit të shtetit.
Për disa vite rresht ministria e Financave është detyruar të përdorë në fund të vitit letër kreditë, si një instrument financiar, për të bërë të mundur realizim e shpenzimeve kapitale.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.