Investimet publike – Shpenzimet kapitale, 9.2 mld lekë më shumë se viti 2016
Çdo vit që korrespondon me zgjedhjet parlamentare, investimet elektorale janë ato që diskutohen më tepër nga opinion publik. Por duke parë statistikat zyrtare të Ministrisë së Financave, vihet re se për periudhën 7 mujore realizimi i këtyre investimeve është në nivele jo të larta, me konkretisht në afro 40 % e planifikimit vjetor. Ndërsa duke parë trendin e viteve të fundit, shifrat e shpenzimeve kapitale në vite, vihet re se këtë fillim vit ka pasur një rritje të investimeve publike.
Kështu referuar të dhënave të treguesve fiskalë për këtë periudhë, shpenzimet kapitale paraqesin një realizim në masën rreth 29.1 miliard lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016, ky zë është rreth 9.2 miliard lekë më shumë. Po sipas këtyre të dhënave, realizimi me financim te brendshëm është në vlerën e 19.1 miliardë lekëvë, ndërsa investimet me financim të huaj për këtë periudhë arrijnë në 10 miliardë lekë.
Ndryshimet në ligjin për buxhetin e shtetit ka bërë që të mirëmenaxhohen financat publike. Kjo pasi mosrealizimi i investimeve publike gjatë viteve të fundit ka qenë një ndër problematikat e menaxhimit të buxhetit të shtetit. Për disa vite resht Ministria e Financave është detyruar të përdorë në fund të vitit letër kreditë, si një instrument financiar, për të bërë të mundur realizim e shpenzimeve kapitale.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.