Investimet “rezistojnë” – Treguesit e tërthortë dëshmojnë rritje
Ecuria e investimeve në ekonominë shqiptare duket pozitive edhe në pjesën e parë të këtij viti, siç dëshmohet nga shumica e treguesve të tërthortë.
Sipas Institutit të Statistikave, për tetë muajt e parë të vitit importi i makinerive dhe pajisjeve arriti në 91.3 miliardë lekë, në rritje me 7.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Importi i makinerive dhe pajisjeve është një ndër treguesit kryesorë që tregojnë ecurinë e investimeve në ekonomi.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se ecuria e investimeve të huaja u ngadalësua në tremujorin e dytë, por bilanci vjetor, deri tani, është pozitiv. Në gjashtë muaj, ekonomia shqiptare ka thithur 515 milionë euro investime të huaja, me një rritje prej 19% krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.
Në rritje është edhe kontributi i sektorit publik në investime. Sipas statistikave fiskale të qeverisë, për shtatëmujorin shpenzimet kapitale arritën në 34.7 miliardë lekë, në rritje prej 12.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë viteve të fundit, investimet kanë qenë shtysa kryesore e rritjes ekonomike të vendit. Megjithatë, institucionet e specializuara parashikojnë një rënie graduale të kontributit të investimeve në rritjen ekonomike.
Kjo lidhet me mbylljen e ciklit të investimeve të huaja madhore, por edhe me një konsolidim të prishëm buxhetor, që do të kufizojë hapësirat e rritjes së investimeve publike. Megjithatë, shifrat tregojnë se, për momentin, investimet në ekonomi ngelen në rritje.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.