Investimet vendore në 9 muaj: 2,4 herë me shumë se në vitin 2016
Shpenzimet kapitale ose investimet, përbëjnë një zë të rëndësishëm të buxheteve vendore dhe një parakusht për zhvillimin ekonomik vendor afatgjatë. Të dhënat zyrtare të publikuara nga portal i Financave Vendore, për periudhën 9 mujore tregojnë për një rritje të theksuar të shpenzimeve kapitale nga bashkitë.
Gjatë kësaj periudhe, shpenzimet për investime shënuan një vlerë prej rreth 20.4 miliard lekë nga rreth 8.6 miliard lekë që ishin në të njëjtën periudhë të një vitit më parë.
Ky nivel investimesh rreth 2.4 herë më i lartë krahasuar me një vit më parë rezulton të jetë financuar për rreth 15.1 miliard lekë nga burime të veta, duke sinjalizuar për orientim zhvillimor afatgjatë të bashkive.
Po sipas analizës së këtij portali, bazuar në klasifikimin e shpenzimeve kapitale për funksionin “Çështjet ekonomike” (ku përfshihet infrastruktura e transportit), strehimi dhe komoditetet e komunitetit (ku përfshihen shpenzimet për strehimin dhe urbanistikë, ujësjellës dhe kanalizime vendore, ndriçimi publik) zënë peshën kryesore të shpenzimeve kapitale në të gjitha vitet.
Gjatë periudhës së konsideruar, rezulton se investimet për funksionin “Çështjet ekonomike” janë rritur me 2.1 herë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë; investimet në funksionin “strehimi dhe komoditetet e komunitetit” janë trefishuar për të njëjtën periudhë.
Ndër vite, niveli i shpenzimeve kapitale ka qenë i luhatshëm edhe pse paraqet një korrelacion të mirë me ecurinë e burimeve financiare të veta të bashkisë. Gjithashtu, në fazimin në kohë të shpenzimeve kapitale ndikon edhe ecuria në zbatimin e planit të prokurimeve për mallra, shërbime apo punë publike nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Fokusi kryesor i shpenzimeve kapitale të financuara nga të dy nivelet e qeverisjes mbetet infrastruktura e transportit, strehimi, urbanistika dhe ujësjellës-kanalizimet.
Luhatjet e forta në nivelin e investimeve varen nga një mori faktorësh përfshirë këtu transfertat nga ministritë e linjës dhe nga Fondi për Zhvillimin e Rajoneve, por edhe nga kuadri ligjor për prokurimin publik i cili kërkon ndjekjen e disa proceseve të cilat mund të kërkojnë një periudhë kohe edhe më të gjatë se 3-4 muaj.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.