Investimi i kursimeve – Ku shkuan paratë e shqiptarëve në 2016?

Mjedisi me norma tejet të ulëta interesi ka shtruar prej vitesh një sfidë për investimin e kursimeve të familjeve.
Sipas statistikave zyrtare, depozitat bankare ngelën instrumenti kryesor i investimit, por në vitet e fundit ka një rritje të peshës në investimeve alternative me rrezik të ulët.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar totali i depozitave të individëve arriti në 904 miliardë lekë, në rritje me 25 miliardë lekë ose 2.9% krahasuar me një vit më parë. Rritja është udhëhequr sidomos nga depozitat në valutë, që përbënin mbi 80% të rritjes totale.
Investimet e individëve në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare kanë vijuar edhe gjatë vitit të kaluar. Sipas të dhënave nga ministria e Financave, individët zotëronin 15% të stokut të borxhit shtetëror. Në vlerë absolute, kjo përkthehet në një vlerë investimi prej rreth 80 miliardë lekësh, në rritje vjetore me 3.3%.
Investimet financiare të individëve, Dhjetor 2016 | ||
Instrumenti | Shuma (mld lekë) | Rritja vjetore (%) |
Depozita bankare | 904 | 2,9 |
Bono dhe obligacione | 80 | 3,3 |
Fonde investimi | 65,4 | -2,3 |
Fonde pensionesh | 1,25 | 47 |
Ndërkohë, një frenim gjatë vitit të kaluar kanë pësuar fondet e investimit. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, asetet neto të mbajtura nga individët në këto fonde ranë në 65.4 miliardë lekë, 2.3% më pak krahasuar me fundin e vitit 2015.
Investimi me rritjen më të lartë nga individët për vitin e kaluar ka qenë ai në fondet private të pensioneve. Sipas të dhënave nga AMF, për vitin 2016 investimet në këto fonde arritën në 1.25 miliardë lekë, në rritje vjetore me 47%.
Ndonëse zënë ende një peshë shumë të vogël në portofolin e investimit të individëve, interesi për këto instrumente është në rritje, i favorizuar nga një përmirësim i ndërgjegjësimit, por, pjesërisht edhe nga normat shumë të ulëta të interesit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.