Investimi në bono – Interesat në rritje të lehtë, por të qëndrueshme

Interesat e bonove të thesarit po ndjekin me një tendencë të rritjes së ngadaltë, por të vazhdueshme.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në ankandin e kësaj jave, bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 2.23%, nga 2.16% që kishte qenë interesi në ankandin e mëparshëm.
Kërkesa e tregut në ankand u shfaq e kufizuar dhe qeveria nuk arriti të plotësojë shumën e shpallur të huamarrjes, prej 8.2 miliardë lekësh. Vlera e bonove të shitura u frenua në rreth 8 miliardë lekë.

Tregu primar i letrave të borxhit qeveritar në muajt e fundit ka qenë relativisht i qëndrueshëm, pas luhatjeve të forta të interesave që nga mesi i vitit të kaluar.
Tregu ka arritur një pikë ekuilibri, që siguron një kthim të arsyeshëm për investitorët, por nga ana tjetër përbën një normë e favorshme huamarrjeje edhe për qeverinë.
Megjithëse tendenca është për një rritje të lehtë dhe graduale, ende yield-it të bonove nuk nxit presione domethënëse për rritjen e interesave të depozitave apo të kredive bankare. Kjo qëndrueshmëri favorizon ruajtjen e normave të ulëta të interesit në ekonomi.
Ekspertët nuk presin luhatje të mëdha në tregun e bonove dhe obligacioneve, ndërsa gjasat janë që rritja e interesave të vazhdojë me ritme të ngadalta.
Ajo çka mund ta përshpejtonte rritjen e interesave do të ishte një rritje e kreditimit, çka do të kanalizonte më shumë fonde në financimin e sektorit privat.
Të dhënat e deritanishme tregojnë se një zgjerim në përmasa të mëdha i kreditimit do të jetë i vështirë, megjithëse pritshmëritë e bankave për gjysmën e dytë të vitit janë më optimiste.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.