Investimi në pension – Numri i kontribuesve arrin në afro 18.500

Numri i kontribuesve në fondet private të pensioneve u zgjerua me ritme të shpejta edhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, numri i anëtarëve në fund të muajit mars arriti në afro 18,500. Për tre muaj, numri i kontribuesve është shtuar me rreth 1200 individë ose rreth 6.7%.
Rritja e numrit të anëtarëve po udhëhiqet sidomos nga fondi SiCRED Pension, që po ndjek një strategji mjaft aktive të promovimit të përfitimeve nga fondet private të pensioneve, edhe përmes rrjetit të kompanisë mëmë, Credins Bank.
SiCRED Pensions ka arritur në afro 10 mijë kontribues dhe mban rreth 53% të tregut, sipas numrit të anëtarëve.
Mjedisi me norma të ulëta interesi është një faktor që ka nxitur rritjen e këtyre fondeve. Depozitat bankare dhe bonot e thesarit ofrojnë kthime shumë të ulëta, ndaj shumë qytetarë kanë vlerësuar si një alternativë interesante investimin e kursimeve në një pension privat.
Duke investuar në një pension vullnetar individët gjithashtu mund të përfitojnë një zbritje nga taksat. Sipas ligjit, këto kontribute përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat personale deri në masën e 15% të të ardhurave vjetore bruto, por jo më shumë se 200 mijë lekë në vit.
Pas rritjes së tatimit mbi të ardhurat, sidomos individët me të ardhura të larta kanë përfitime të konsiderueshme nga një incentivë e tillë.
Në volume, tregu ende ngelet në përmasa modeste, por me rritje të qëndrueshme nga viti në vit. Totali i aktiveve të fondeve të pensioneve në fund të muajit mars arriti në 1.41 miliardë lekë, me një rritje prej 6.7% që nga fillimi i vitit.
Kontributet në fondet e pensioneve private investohen pothuajse tërësisht në bono dhe obligacione të qeverisë shqiptare, me një rrezik investimi 0. Për nga totali i aktiveve, kompania më e madhe është Sigal Pensions, me afro 51% të tregut.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.