Investimi në ujësjellës – Veliaj: Gati kredia e BERZH, rrjet i ri te Unaza e Madhe
Bashkia e Tiranës ka dakordësuar kredinë e parë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila do t’i hapë rrugën investimit në rrejt dhe kapacitete përpunuese në zonën e Unazës së Madhe dhe Kasharit. Lajmi është bërë me dije nga kryebashkiaku, Erion Veliaj, i cili mori pjesë në Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, të organizuar nga BERZH në Bonn të Gjermanisë.
“Sapo kemi dakordësuar me BERZH-in kredinë e parë, pas gjithë vendimeve të vështira që morëm për Ujësjellës Kanalizimet e Tiranës, sot jemi më të kreditueshëm dhe më të besuar nga ana financiare. Kjo na mundëson që të marrim një kredi fillestare brenda këtij viti për të bërë investimin që dyfishon sasinë e filtrimit nga Bovilla dhe sigurisht pastaj për të vazhduar me investimin që vjen nga Bovilla deri tek zona e Unazës së Re, një nga zonat problematike të kësaj vere”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku evidentoi se me mundësitë për të marrë kredi, por edhe me performancën e UKT-së do të bëhet e mundur që brenda 5 vitesh Tirana t’i japë fund problemit me furnizimin me ujë.
“Me këtë kredi dhe me këtë ristrukturim që i bëmë UKT-së mundësojmë largimin e kësaj krize dhe një gangrenë që ka 27 vite që prek këto pjesë të Tiranës. Kjo është vetëm faza e parë, pastaj do të vazhdojmë me kreditë dhe investimet e tjera që të sigurohemi që qyteti e ka brenda 5 viteve paketën e investimeve që mundëson ujë 24 orë”, shtoi Veliaj.
Në fokus të konferencës ishte rritja e financimeve në kuadër të përpjekjeve për të luftuar ngrohjen globale dhe promovimi i investimeve të gjelbra, ndërkohë që Tirana u përzgjodh si një shembull suksesi i bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe BERZH-it në financimin e projekteve miqësore me mjedisin dhe që ndikojnë në lehtësimin e problemeve klimaterike.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.