Investitorët i kthehen Europës – Zbutja e tensioneve politike stabilizon tregjet e borxhit
Zbutja e tensioneve politike në Francë ka tërhequr investitorët drejt Europës, duke rritur tregjet e kapitalit në nivele rekord dhe ulur shqetësimet në tregjet e borxheve sovranë të rajonit.
Fondet që ndjekin performancën e titujve të kapitalit në Europë kanë tërhequr 280 milionë dollarë këtë javë, duke sjellë javën e 6 radhazi të flukseve pozitive. Fondet e titujve të borxhit në Europë kanë performuar gjithashtu mirë, duke tërhequr 1.4 miliardë dollarë.
Kërkesa e investitorëve për tregjet europiane është përmirësuar pas daljes së Macron si kandidati favorit në zgjedhjet presidenciale në Francë. Flukset hyrëse kanë nxitur tregjet lokalë të aksioneve. Indeksi CAC 40 i titujve të kapitalit në Francë është rritur këtë javë në nivelin më të lartë që prej krizës financiare. Nga ana tjetër, fondet e titujve të kapitalit në SHBA kanë pësuar vështirësi, ndërkohë që 9 miliardë dollarë janë tërhequr prej zhgënjimit të investitorëve mbi planin tatimor të Donald Trump.
Ky ndryshim i humorit është reflektuar edhe në tregjet e borxheve sovranë. Spread-i ndërmjet titujve 10-vjeçar të borxhit francez me bund-in gjerman ka rënë në nivelin më të ulët të vitit. Kontratat për t’u siguruar nga falimentimi (CDS) mbi borxhin francez kanë rënë pas rezultatit të raundit të parë të zgjedhjeve, duke sinjalizuar besimin e investitorëve për vendin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.