Investitorët “ndëshkojnë” teknologjinë – “5 të mëdhenjtë”, $100 mld humbje vetëm të premten

Tregjet financiare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës “ndëshkuan” sektorin teknologjik në sesionin e së premtes, dhe pa dyshim emrat e mëdhenj të këtij sektori realizuan humbjet më të mëdha. Të ashtuquajturit “5 të mëdhenjtë” – Apple, Alphabet, Microsoft, Facebook dhe Amazon – humbën së bashku plot 97.5 miliardë dollarë në vlerë tregu, vetëm brenda sesionit të fundit të javës.
Për këtë arsye, indeksi i teknologjisë, Nasdaq, realizoi humbjet më të mëdha ditore për këtë vit, duke rënë me 2.44%. Aksionet e Apple humbën 4% të vlerës, ndërsa katër kompanitë e tjera ranë me më shumë se 3%. Për të gjithë sesionin, vetëm aksionet e tre kompanive në sektorin e teknologjisë në indeksin S&P 500, ishin në rritje: IBM, Teradata dhe Western Union.
Gjithsesi, për këtë periudhë të vitit 2017, indeksi SPDR që mat sektorin teknologjik është në rritje me rreth 16%, ndërsa indeksi i teknologjisë së informacionit është në rritje me 18.5%. Rritja e konsiderueshme gjatë këtij viti ishte arsyeja kryesore që rrëzoi aksionet, pasi investitorët janë të shqetësuar mbi vlerësimin që do ti bëhet këtyre kompanive. Analistët e Goldman deklaruan se, ky sektor mund të jetë i mbivlerësuar.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.