Investitorët shohin Europën, blejnë aksionet e rajonit
Zgjedhjet që do të zhvillohen më vonë gjatë vitit në Europë, që mund të tronditin sferën politike në rajon, janë ngjarje që zakonisht largojnë investitorët ndërkombëtarë.
Megjithatë, portofolet e tyre të mëdha kanë pozicione për blerje me titujt e kapitalit në Europë, në një normë më të madhe se investimet në aksione amerikane.
Kalendari i 2017-ës në Europë është mbushur me zgjedhjet në vendet kryesore që do të kenë ndikime në tregje përfshirë; zgjedhjet në Hollandë në muajin Mars, zgjedhjet në Francë që nisin në muajin Prill dhe ato në Shtator në Gjermani, ku sondazhet tregojnë se Angela Merkel do të përballet me testin e saj më të ashpër.
Në çdo rast, votuesit kanë mundësinë të shprehin mbështetje për kandidatët anti-euro, që kanë filluar të duken si alternativa të besueshme pas tronditjes nga Brexit dhe zgjedhjeve në SHBA.
Aberdeen Asset Management, kompania ndërkombëtare e manaxhimit të aktiveve me seli në Skoci, deklaron se nuk ka të bëjë me pesimizmin drejt aksioneve amerikane, por se është çështje preference.
Manaxherët e fondeve kanë rritur ndjeshëm ekspozimin në Eurozonë për muajin Janar, duke lënë pas çdo kategori tjetër të investimit, tregon një sondazh i Bank of America ndaj 176 institucioneve që manaxhojnë 455 miliardë dollarë aktive.
Një kompani tjetër e hulumtimit në tregje, Morningstar, tregon se BlackRock, një fond që manaxhon 5.1 trilionë dollarë, ka rritur gjithashtu ekspozimin në aksionet europiane.
Këtë javë, BlackRock rriti në mënyrë zyrtare perspektivën për aksionet europiane në normën më të lartë të mundshme të vlerësimit. Për aksionet amerikane, BlackRock e çoi vlerësimin në neutral, duke mos sugjeruar as blerje as shitje.
Klevis Llaha/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.