Investitorët tjetërsojnë pronat publike – Kriteret e vendosura, ndryshimet hyjnë në fuqi në Tetor
Subjektet private, do të kenë mundësi që jo vetëm të privatizojnë prona të institucioneve shtetërore, por edhe të mund t’i tjetërsojnë ato. Akti normativ i shumë debatuar dhe i kthyer një herë për rishqyrtim nga Presidenti i Republikës është botuar në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi në Tetor.
Në ligj përcaktohet se “kalimi i pronës shtetërore në private të bëhet edhe në funksion të planeve të përgjithshme, me kushtin që pjesa shtetërore të mos jetë më e madhe se 20 për qind e pronës që do të zhvillohet. Vendimi i Këshillit të Ministrave, për këto raste, përcakton, gjithashtu, kushtet që duhet të plotësojnë kërkuesit e tjetërsimit me kontratë të pronës shtetërore, mënyrën e vlerësimit të pronës shtetërore, si dhe organet që përfshihen gjatë procesit dhe rolin e tyre.”
Sipas relacionit shpjegues të draftit, ndryshimet marrin shkas nga vullneti i mirë për të adresuar disa problematika që ndeshen aktualisht, ku në mjaft raste ekzistojnë sipërfaqe të ndryshme toke pronë private të cilat janë të përfshira në planet e miratuara të zhvillimit urban nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore, por rrethojnë, prekin ose janë menjëherë në kufi me copëza/sipërfaqe relativisht të vogla toke në pronësi të qeverisjes qendrore ose të njësive të vetëqeverisjes vendore. Në praktikë këto rrethana sjellin probleme për investitorët që përkthehen me pengesa në kryerjen e disa investimeve të rëndësishme në vend, si dhe sjellin si rezultat moszbatimin e planeve vendore të miratuara.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.