iPhone mbush 1 dekadë – Ja risitë që priten nga iPhone 8

Ky Qershor shënon 10 vjet nga data kur Apple nxorri iPhone-in e parë, një pajisje që do të transformonte rrënjësisht mënyrën se si ndërveprojmë me teknologjinë, kulturën dhe njëri-tjetrin.
Tashmë kompania është duke punuar për të sjellë iPhone 8, i cili sipas traditës do të prezantohet në Shtator.
Celulari i ardhshëm do të jetë i pari që do të ofrojë karikim wireless, thonë furnizuesit e kompanisë. Për të arritur këtë gjë, Apple do të ndërrojë kapakun, nga alumin në xham.
Veçori tjetër e shtuar do të jetë një teknologji më e avancuar kundër ujit, duke iu bashkuar aparatëve të rivalit Samsung, Galaxy S7 dhe S8.
iPhone 8, ashtu si S8, do të ketë një ekran që shtrihet në të gjithë sipërfaqjen e celularit, pa një buton home. Pritet që celulari të vijë në dy madhësi, 4,7 inch dhe 5,5 inch.
Natyrisht sistemi operativ do të jetë iOS 11, i prezantuar në Konferencën Ndërkombëtare të Zhvilluesve më herët gjatë Qershorit.
Por, vizioni i kompanisë shtrihet përtej specifikave të pajisjes. Apple kërkon të shndërrojë modelin e saj ikonik në një “kartelë” mjekësore me të gjithë të dhënat lidhur me shëndetin e mbajtësit.
Sipas CNBC, një ekip sekret brenda Apple, po merret me zhvillimin e një programi, në koordinim me spitalet dhe industritë e tjera, për të sjellë të dhëna laboratorike, listë alergjish, etj. brenda në celular, që më pas të mund të shpërndahen me palët e treta si spitalet, pa patur nevojë të gërmohet në sisteme dhe arkiva.
Një arsye tjetër pse Apple mund të rezultojë me sukses në këtë përpjekje është se shumica e doktorëve përdorin iPhone-ët, të cilët në botë përfshijnë mbi 1 miliard pajisje aktive.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.