Iran: BE nuk arriti të shpëtojë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015
Irani kritikoi të hënën nënshkruesit europianë të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 për dështimin në shpëtimin e paktit, pasi Presidenti Donald Trump tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga ajo vitin e kaluar dhe rivendosi sanksione, njoftoi televizioni shtetëror. “Deri tani, nuk kemi parë hapa praktike dhe të prekshme nga europianët për të garantuar interesat e Iranit, Teherani nuk do të diskutojë ndonjë çështje përtej marrëveshjes bërthamore”, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme Abbas Mousavi.
Trump e dënoi marrëveshjen, të nënshkruar nga paraardhësi i tij Barak Obama, si me të meta për faktin që nuk ishte e përhershme dhe që nuk mbulonte programin e raketave balistike të Iranit apo rolin e saj në konfliktet e Lindjes së Mesme. Nënshkruesit europianë të marrëveshjes, Franca, Britania dhe Gjermania, po përpiqen ta shpëtojnë, por ndajnë të njëjtat shqetësime si Shtetet e Bashkuara mbi zhvillimin e raketave balistike dhe aktivitetet rajonale të Iranit.
Ministri i jashtëm gjerman mbërriti në Iran të dielën, si pjesë e një përpjekjeje të përbashkët europiane për të ruajtur paktin dhe për të shpërndarë tensionin në rritje midis Teheranit dhe Uashingtonit. “BE nuk është në një pozicion për të vënë në pikëpyetje çështjet e Iranit përtej marrëveshjes bërthamore”, tha Mousavi.
Burimi: Reuters
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.