“Irani do thyejë sanksionet”, Rouhani: Do vazhdojmë të shesim naftë!
Presidenti i Iranit, Hasan Rouhani tha se vendi do të vazhdojë të shesë naftë dhe të thyejë sanksionet e vendosura përsëri nga Shtetet e Bashkuara në sektorin e energjisë dhe atë bankar.
Shtetet e Bashkuara bënë të ditur javën e kaluar se do të lejojnë që 8 vende të vazhdojnë të blejnë përkohësisht naftë iraniane, pasi të rivendosen sanksionet, që synojnë ndalimin e aktivitetit bërthamor në vend.
Kina, India, Korea e Jugut, Japonia dhe Turqia, që janë blerësit kryesorë të naftës iraniane, janë ndër 8 vendet që do të marrin përjashtim të përkohshëm nga sanksionet, në mënyrë që çmimet e naftës të mos pësojnë luhatje të mëdha.
“Amerika kërkon të ulë në zero eksportet e naftës iraniane. Por ne do të vazhdojmë të shesim naftë dhe do thyejmë sanksionet. Sot, armiku, po shënjestron ekonominë tonë. Shënjestra kryesore e sanksioneve është populli iranian. Kjo është një luftë ekonomike kundër Iranit, por Amerika duhet të kuptojë se nuk mund të përdorë forcën ndaj Iranit”.
Rikthimi i sanksioneve është pjesë e një plani nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, që të detyrojë Iranin të ndalojë programin bërthamor si dhe mbështetjen e trupave në Yemen, Siri, Liban dhe pjesë të tjera të Lindjes së Mesme.
Në muajin Maj, Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e arritur mes 6 vendeve dhe Iranit, duke rikthyer sanksionet ndaj vendit.
Me arritjen e marrëveshjes në vitin 2015, sanksionet ndërkombëtare financiare dhe ekonomike ndaj Iranit u hoqën, në mënyrë që Teherani të ndalojë aktivitetin bërthamor nën mbikëqyrje nga Kombet e Bashkuara.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.