Irani kundër dollarit – Zgjedh euron si valutën zyrtare të raportimit prej sanksioneve amerikane
Irani do të nisë të raportojë valutat e huaja në euro dhe jo në dollar amerikan. Sipas mediave shtetërore kjo është pjesë e një plani të qeverisë për të reduktuar varësinë ndaj valutës amerikane, në një kohë të tensioneve me Washingtonin.
Politika e re do të inkurajojë organet qeveritare dhe firmat e lidhura me shtetin, që të rrisin përdorimin e euros.
Guvernatori i Bankës Qendrore, Valiollah Seif, tha gjatë javës së kaluar se Lideri Suprem, Ayatollah Ali Khamenei ka mirëpritur sugjerimin e tij për të zëvëndësuar dollarin me euro në tregtinë e jashtme.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar prishjen e marrëveshjes së 2015-ës mbi armët bërthamore, nëse nuk rishikohet.
Sanksionet amerikane do të rivendosën, nëse Trump nuk lajmëron të kundërtën deri më datën 12 Maj. Transaksionet bankare që përfshijnë dollarin paraqesin vështirësi për Iranin për shkak se bankat në SHBA nuk janë të gatshme për të bërë biznes me vendin prej rreziqeve ligjore.
Firmat e huaja mund të ekspozohen ndaj sanksioneve nëse bëjnë marrëveshje me Iranin në dollarë, edhe nëse operacionet përfshijnë filiale jo-amerikane. Për rrjedhojë, Franca do të nisë të ofrojë kredite të denominuara në euro ndaj blerësve iranianë më vonë gjatë vitit, për të shmangur sanksionet amerikane.
Kërcënimi i sanksioneve ka sjellë luhatje në tregun e këmbimit valutor të vendit gjatë muajve të fundit.
Valuta vendase ka humbur thuajse gjysmën e vlerës në tregun e hapur nga Shtatori i vitit të kaluar, duke prekur një nivel rekord të ulët prej 60,000 kundër dollarit, përpara se autoritetet të caktonin një normë fikse prej 42,000 dhe paralajmëronin kundër përdorimit të normave të tjera.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.