Ish-konvikti “Harry Fultz” del për qira – Në përdorim do të jepen edhe prona të tjera
Konvikti i Shkollës së Mesme Elektrike, i njohur si ish-konvikti “Harry Fultz”, është listuar për t’u dhënë me qira nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Objekti i përbërë nga një godinë një katëshe dhe një godinë tjetër me tre kate ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 4954 metrash katrorë.
Afati i dhënies me qira të kësaj pasurie është për një periudhë kohore prej 20 vjetësh, ndërkohë që vlera dysheme për detyrimin e qirasë nis nga 1.021.560 lekë në muaj. Data e konkurrimit është caktuar më 8 Gusht, ndërkohë që kriteret kryesore kanë të bëjnë me vlerën e investimit, e cila zë gjysmën e pikëve, tarifa mujore e qirasë me 30 pikë dhe numri i njerëzve që do të punësohen me 30 pikë.
Procedurat e dhënies me qira do të ndiqen edhe nga Bashkia Devoll dhe Bashkia Poliçan, të cilat synojnë të japin në përdorim disa prej pasurive të tyre në përdorim.
Në njësinë administrative “Qendër Bilisht” Bashkia Devoll do të japë me qira për 20 vite disa prona me një vlerë dysheme të qirasë prej 27 mijë lekësh për hektar për vit kalendarik. Investimi dhe punësimi në këtë rast do të vlerësohen me nga 40 pikë, ndërkohë që qiraja e propozuar me 20 pikë.
Ndërkohë, në Bashkinë Poliçan, për qira do të jepet po ashtu për një periudhë 20-vjeçare Kombinatit Mekanik Zona B. Pjesa që do të jepet për përdorim është vetëm një pjesë e këtij kombinati, me një sipërfaqe prej 12.400 m2 dhe 2310 m2 sipërfaqe nën objekt.
Tarifa dysheme e qirasë për këto prona nis nga 216.416 lekë në muaj. Kryesorë në këtë rast në vlerësimin e ofertave do të jetë niveli i punësimit që parashikohen në planin e biznesit të propozuar.
Më datë 9 Korrik, Ministria e Financave njoftoi gjithashtu edhe dhënien me qira të ish-kombinatit të tekstileve “Stalin”.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.