ISHSH: Në 2 muaj, 19 mln lekë gjoba – “SCAN” siguron raportet, shkelje dhe nga spitalet privatë
67 masa administrative, më një vlerë prej 19.115.000 milionë lekësh. Ky është bilanci i punës së Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor për kontrollet e kryera përgjatë muajit mars dhe prill të këtij viti, ndërkohë që Televizioni SCAN ka mundur të sigurojë kopjen e 2 raporteve, që ky institucion ia adreson Ministrisë së Shëndetësisë.
Objekt i gjobave kanë qenë spitalet publikë dhe jopublikë si dhe ndërmarrjet për moszbatimit e ligjit për sigurinë dhe shëndetin në punë. Gjithashtu, masa administrative janë vendosur edhe ndaj subjekteve tregtare që janë gjetur në shkelje të ligjit të duhanit, ndërsa inspektimet janë fokusuar edhe te zbatimi i ligjit “Për mbrojtjen nga rrezatimi jonizues dhe jojonizues.
Sipas raporteve përgjatë muajit mars ISHSH ka kryer 3043 kontrolle, 347 prej të cilëve janë riinspektime. Në total për këtë muaj janë vendor 58 gjoba, me një vlerë prej 15.715.000 lekësh. Ndërkohë që, për muajin prill ka një rënie të ndjeshme të gjobave të vendosura, ndonëse numri i inspektimeve është i përafërt me një muaj më parë. Sipas raportit, për këtë muaj janë kryer 2923 kontrolle, ndërkohë që janë vendosur 9 masa administrative, me një vlerë totale prej 3.4 mln lekësh.
Probleme janë konstatuar edhe në subjektet spitalore private, ku sipas Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor ka pasur shkelje në procedurat e dhënies së ndihmës së parë, mungesë e pjesshme e kushteve higjieno-sanitare, mosrespektim i procedurës së administrimit të mbetjeve spitalore, laboratorë të pa licencuar, etj. Probleme janë konstatuar edhe me kartelat e pacientëve si dhe mungesë e standardeve të cilësisë dhe shërbimit për institucionet shëndetësore.
Në total Inspektorati Shtetëror Shëndetësor kontrolloi 11 institucione spitalore private.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.