ISHTI gjobit 24 subjekte – 33.3 mln lekë për 3-mujorin, nuk “kursen” as OSHEE-në
33.3 milion lekë është vlera e gjobave ndaj subjekteve të tregtimit me shumicë dhe pakicë të karburanteve dhe të lëndëve djegëse, pajisjeve nën presion dhe instalimeve elektrike, të vendosura nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial për 3 muajt e parë të vitit.
Sipas të dhënave zyrtare nga ky dikaster, për 3-mujorin u vendosën në total 24 masa administrative, ndërsa vlera e tyre varion nga 50 mijë deri në 2 milion lekë sipas shkeljeve të konstatuara. Numri më i madh i tyre u vendos në muajin mars, ndërkohë që janari dhe shkurti shënoi pak penalizime, duke qenë se u ndëshkuan vetëm 9 subjekte.
Shkaqet për vendosjen e gjobave janë të ndryshme sipas subjekteve, duke filluar që nga mungesa e kushteve teknike, tregtimi i karburantit jashtë normave të lejuara, mbushje e bombolave për përdorim familjar në kundërshtim me ligjin apo shmangie e treguesve të përmbajtjes së squfurit dhe flakërimit. Ndërkaq, penalizimeve nuk i ka shpëtuar as Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ku rezulton se është gjobitur njësia elektrike në Kukës, nënstacioni i Bajram Currit dhe Agjencia Elektrike Tropojë. Shkak për këto masa është bërë mosrespektimi i rregullores së Sigurimit dhe Shfrytëzimit Teknik për Impiantet, Pajisjet dhe Instalimet, çka në të tre rastet është pasuar me aksident të rëndë.
Përgjatë vitit 2017, Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial gjobiti në total 183 subjekte, ndërkohë që referuar viteve të kaluar kontrollet intensifikohen gjatë muajve të verës për shkak të rrezikut të shtuar nga temperaturat e larta.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.